Wikileaks, arrestohet Assange

Policia britanike arreston themeluesin e Wikileaks, Julian Assange. Lajmin e konfirmon site i Sky News.

Arrestimi ndodhi në një stacion të policisë londineze, ku 39-vjecari u prezantua bashkë me avokatin e tij. Assange do të dalë gjatë ditës para gjykatës.

Mandati i arrestit është dhënë pasi dy gra e akuzojnë Assange se i ka sulmuar seksualisht, pretendime që pronari i Wikileaks i ka mohuar gjithnjë.Pak ditë më parë qarkullonin zërat se gazetari australian do të dilte para drejtësisë të martën. Interpoli e kërkonte prej kohësh për akuzën e sulmit seksual në Suedi.

Të hënën avokati i Assange, Mark Stephens, deklaroi se ishte në kontakt me Scotland Yard për të organizuar marrjen në pyetje të klientit të tij, duke shtuar se ‘takimi’ do të ndodhte së shpejti.

Disa burime të tjera thanë për “The Guardian” se Assange i kishte kërkuar mbështetësve të tij që t’i dilnin garant dhe të mblidhnin një shifër prej 100-200 mijë stërlinash, për të fituar lirinë me kusht.

Jepni mendimin tuaj