Ambasadori i ri amerikan

Kandidati i zgjedhur nga presidenti amerikan Barak Obama për të qenë ambasador i Shteteve te Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu foli në seancën për konfirmimin e tij në Komitetin për Marrëdheniet e Jashtme në Senat, për të shpjeguar misionin e ardhshëm dhe për të çuar më tej, siç tha ai, interesat e SHBA-së në Shqipëri.

Ai e konsideroi vendin tonë një histori suksesi si dhe i bëri thirrje klasës politike të lërë mënjanë rivalitetin për t’u përqëndruar tek njerëzit e thjeshtë.

“Nganjëherë duket se klasa politike është më e shqetësuar në rivalitetet e saj sesa me mirëqenien e qyterarëve të thjeshtë. Për një moment të shkurtër, përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, ishim dëshmitarë të një sensi jetëshkurtër të shpirtit bipartizan. Vëzhguesit objektivë ndërkombëtarë i vlerësuan këto zgjedhje si reflektuese të vullnetit të popullit. Për fat të keq, Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës ku ka vetëm të fituar ose vetëm të humbur dhe ku ka një mosbesim të thellë mes shumicës dhe opozitës. Një dialog konstruktiv mes palëve është shumë i vonuar dhe do ta ndihmonte Shqipërinë për të vënë në punë talentin e lindur dhe shkathtësinë e saj për ta çuar përpara”, është shprehur Arvizu.

Sa i takon zhvillimit ekonomik, Arvizu përmendi Shqipërinë si një ndër dy vendet në Europë që gjatë vitit 2009 shënoi rritje ekonomike, çka, sipas tij, parashikohet edhe këtë vit. Por siç tha ai, më shumë duhet bërë në Shqipëri.

“Si një shtet aleat i NATO-s, Shqipëria duhet të aderojë në parimet më të larta të Aleancës. Respekti i plotë për sundimin e ligjit dhe institucionet e pavarura është ende i dobët, ndërsa korrupsioni ende i lart딝, tha Arvizu.

Ai foli edhe për rolin e Shqipërisë në rajon.

“Shqipëri është një avokat i fortë i integrimit të Ballkanit Perëndimor në bashkësinë euro-atlantike, duke patur një fushatë për të kultivuar marrëdhëniet e mira me dhe ndërmjet fqinjëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në të njëjtën kohë, Shqipëria është një përkrahës kyç i politikës sonë për të shtuar njohjet diplomatike të Kosovës”, deklaroi Arvizu.

Ai vlerësoi kontributin ushtarak të Shqipërisë në Afganistan në kuadër të forcës ISAF si dhe përmendi ndihmën e ofruar në rastin e strehimit të të burgosurve të Guantanamos.

Ambasadori Arvizu do të zëvendësojë në këtë detyrë Xhon Uidhers.

Arvizu është diplomat karriere i Shërbimit të Huaj, në rangun e këshilltarit ministror. Aktualisht, ai është drejtor i zyrës së zhvillimit të karrierës dhe pozitave të Departamentin amerikan të Shtetit. Më parë ka qenë zëvendësndihmës sekretar në Zyrën e Çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit. Aleki ka qenë gjithashtu zëvendësshef misioni në Bangkok të Tailandës dhe në Pnom Pen të Kamboxhias. Ai ka shërbyer edhe në vende të tjera, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Këtu në Uashington ai ka punuar në Këshillin e Sigurimit

Jepni mendimin tuaj