Eros Ramazzotti më 30 korrik në Prishtinë

Në agjendën e turneut veror të këngëtarit me nam Eros Ramazzotti, për herë të parë është edhe shteti më i ri në botë. Këngëtari italian ka rezervuar datën 30 korrik për koncertin e tij në Kosovë, nikoqir i të cilit do të jetë stadiumi i Prishtinës.

Ramazzotti do të “zbarkoj딝 në kryeqytet vetëm tri ditë pas koncertit në Palermo, për të “fluturuar më pas” drejt Cagliarit. Data e koncertit në Prishtinë tashmë është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të këngëtarit.

Eros Luciano Walter Ramazzotti, i njohur shkurt si Eros Ramazzotti, do të jetë në “dispozicion” të adhuruesve të tij shqiptarë për fiks dy orë e gjysmë. Këngëtari 46-vjeçar do të ngjitet në skenë për të kënduar live megahitet e tij si, “Parla con mei”, “I belong to you”, “Terra promesa”, “Piú bella cosa” “Fuoco nel fuoco”, “Se bastasse una canzone”, “Solo un volo”.

Këngëtari italian do të ngjitet në skenën e stadiumit të Prishtinës duke iu “bindur” një dëshire të vetme të organizatorit – gjatë performancës të mbajë në kokë një plis, si simbol identifikues të shqiptarëve.

Eros Ramazzotti është kantautor italian i cili gjatë karrierës së tij 25-vjeçare ka realizuar 14 albume. Albumet e Ramazzottit janë shitur në mbi 50 milionë kopje. Ramazzotti është i njohur për bashkëpunimet e tij me këngëtarë si Tina Turner, Anastacia, Luciano Pavarotti, Laura Pausini, Ricky Martin etj.

Çmimi i biletës do t’i përshtatet standardit të Kosovës dhe do të jetë mjaft i arsyeshëm, me fjalë tjera ai nuk do ta kaloj shifrën prej 15 eurosh. Sponsorë medial të koncertit janë “Koha Ditore”, “Kohavision dhe “Radio Blue Sky”.

Jepni mendimin tuaj