Kupa e Botës, 10 momentet më të errëta

Cdo katër vjet, Kupa e Botës në futboll tërheq vëmendjen e një pjese të madhe të planetit pasi ky është një nga evenimentet më spektakolare. Gola, spektakël dhe emocione janë disa nga komponentët e këtij evenimenti magjik që këtë vit zbret për herë të parë në kontinentin afrikan. CNN ka publikuar një renditje me 10 momentet që kanë ngjallur më shumë debate gjatë 18 ndalesave të këtij evenimenti.

10. Bobby Moore, 1970
Kapiteni i Anglisë kampione bote u arrestua në Bogota të Kolumbisë ku skuadra po zhvillonte fazën përgatitore ku u akuzua për vjedhjen e një byzylyku. Pavarësisht nga pretendimet, Moore u lejua të udhëtojë me skuadrën. Por, pas kthimit për në Meksikë, ai u vu në arrest shtëpie për katër ditë. Ndaj tij nuk u provua asnjë akuzë, por kjo cështje u kthye në një përplasje diplomatike mes Anglisë e Kolumbisë.

9. Brazil-Suedi, 1978
Ky nuk ishte viti i kombëtares së Brazilit. Gjatë ndeshjes përballë nordikëve, arbitri uellsian Clive Thomas bëri ndoshta një nga gafat më të mëdha të historisë së futbollit. Në momentin që ndeshja e fiksuar në shifrat 1-1 ishte në kohën shtesë, Brazili fitoi një goditje nga këndi, të cilën Zico e shndërroi në gol, por arbitri e anuloi sepse sipas tij, koha shtesë përfundoi ne momentin që topi u godit. Me këtë barazim, Brazili nuk arriti të merrte vendin e parë në grupin 3.

8. Harald Schumacher, 1982
Një moment dramatik ngriu botën e futbollit kur Gjermania dhe Franca po luanin në gjysmëfinalen e Seviljes dhe shifrat ishin fiksuar në 1-1. Michel Platini i dha një top shokut të skuadrës Patrick Battiston, i cili pësoi një ndërhyrje të rëndë nga portieri gjerman Schumacher. Francezi u dëmtua në shtyllën kurrizore dhe humbi dy dhëmbë, ndërsa portieri gjerman doli i palagur ashtu si edhe Gjermania pasi arbitri nuk dha as faull.

7. Angli-Gjermani, 1966
Në finalen e madhe Anglia kryesonte 2-1 ndaj Gjermanisë por një gol në kohën shtesë nga Wolfgang Weber, e coi ndeshjen në kohën shtesë. Protagonsit i ndeshjes u bë gjyqtari anësor nga Azerbajxhani, Tofik Bakhramov, i cili e quajti të vlefshem golin e anglezëve edhe pse nuk ishte i tillë. Ky vendim ndikoi direkt në rrjedhën e lojës pasi më pas anglezët shënuan edhe golin e katërt.

6. Kili-Itali, 1962
Njihet si “Beteja e Santiagos” pasi mbahet mend si ndeshja më e dhunshme në historinë e botërorëve. Dy vjet më parë Kili ishte goditur nga një tërmet i fuqishëm, por sërish arriti ta organizonte evenimentin. Në 90 minutat e ndeshjes arbitri anglez Ken Aston ngatërroi shumë herë procedurat. Italia e përfundoi ndeshjen me dy lojtarë të dëmtuar, ndërsa policia hyri tre herë në fushë për të ndalur dhunën. Takimi u fitua 2-0 nga vendasit.

5. France-Kuwait, 1982
Kuvajtianët protestuan gjatë pasi ata u ankuan për një ngatërresë për shkak të një bilbili të dëgjuar nga turma. Prova televizive e vërtetoi këtë por arbitri Miroslav Stupar e cilësoi të rregullt golin e Francës.

4. Zinedine Zidane, 2006
Të gjithë janë dëshmitarë të kokës së famshmë të ish Topit të Artë ndaj gjoksit të mbrojtësit Marco Materazzi. Ky episod ndoshta caktoi fatin e finales së Berlinit ku italianët u bënë kampionë të katërfishtë të botës. Të dy këta lojtarë shënuan golat e vetëm të finales. Ende edhe sot e kësaj dite nuk është mësuar përmbajtja e dialogut jo shumë miqësor mes të dyve.

3. Gjermani-Austri, 1982
Në ndeshjen e tretë të grupit përballë Austrisë, kampionët e botës duhej të fitonin për të siguruar kualifikimin. Nga ana tjetër, Austria kishte fituar dy ndeshjet e para. Horst Hrubesch shënoi për Gjermaninë dhe kjo fitore minimale u shërbente të dyja skuadrave për të vazhduar më tej, duke penalizuar kështu Algjerinë. 80 minutat e tjera të ndeshjes rezultuan pushime verore në diellin e Gijonit.

2. Andres Escobar, 1994
Në ndeshjen kundër SHBA-së, mbrojtësi kolumbian shënoi një autogol. Ky takim përfundoi 2-1 në favor të vendasve. Fitorja në ndeshjen e tretë në grup nuk i shërbeu për asgjë Kolumbisë. Por tragjedia ndodhi 10 ditë më pas kur Andres Escobar u ekzekutua në Medelin. Sipas versionit ende të pakonfirmuar, 27 vjecari u qëllua me armë zjarri për shkak të një basti të humbur. Për vrasjen e tij një mësues lokal u dënua me 11 vjet heqje lirie.

1.Diego Maradona, 1986
Të gjithë kanë dëgjuar për “Dorën e Zotit”. Nuk është pikërisht kështu sepse dora ishte e sulmuesit të Argjentinës. Ishte goli i shënuar pikërisht nga Maradona me ndihmën e dorës që i dha Argjentinës Kupën e Botës. Tensioni mes dy vendeve me fillesa që në Luftën II Botërore u amplifikua pas këtij goli që vazhdon t’u shkaktojë ëndrra të këqija anglezëve. Goli i famshëm u shënua në minutën e 51-të ku Maradona ngriti dorën ndaj portierit Peter Shilton. Pamjet filmike konfirmuan dyshimet, por kupa shkoi për Argjentinën.

Jepni mendimin tuaj