Ndahet nga jeta Mjeshtri i madh i aktrimit Roland Trebicka

Aktori i njohur Roland Trebicka nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë që e mundonte prej kohësh. “Mjeshtri i madh” i aktrimit, që njihej më së shumti si “Jovan Bregu” për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”, i cili vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi i tij më i mirë, është ndarë nga jeta pasditen e sotme në moshën 65-vjeçare. Mësohet se aktori i ka kaluar momentet e fundit të jetës me të afërmit në shtëpinë e tij në Tiranë.

 Ndërkohë që në familjen Trebicka janë hapur dyert e mortit, vajza e aktorit ka bërë të ditur se babai i saj vdiq duke menduar për familjen, madje u ka lënë amanet që të mos qajnë e të mos dëshpërohen nga humbja e tij.

Ndërkaq në dyert e Teatrit Kombëtar është vendosur edhe lajmërimi për vdekjen e aktorit të madh, ndërsa homazhet në nderim të tij do të zhvillohen të enjten në ambientet e Teatrit nga ora 11:00-13:00.

Shenjat e sëmundjes iu shfaqën së tepërmi gjatë kohës që Trebicka po merrej me dramën “Një tablo absurde” në vitin 2011. Ai u kurua në një klinikë të specializuar në Paris të Francës, kundër kancerit në mushkëri, ku iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në kryeqytetin e Francës, për të u kujdes vajza e tij, që ndodhet prej vitesh me banim atje. Dy muaj pas shtrimit të tij në spital, qeveria shqiptare miratoi një fond për financimin e kurimit të aktorit, i cili mbante titullin “Mjeshtër i madh”.

Së fundi Roland Trebicka pritej të kthehej në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e Seit Beut në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, fituese e konkursit për dramën shqipe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

MTKRS: DITE ZIE PER KULTUREN SHQIPTARE
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të madhe të skenës shqiptare, Roland Trebicka. “Një ditë zie për kulturën shqiptare”, e ka cilësuar Bumçi ndarjen nga jeta të aktorit të madh.
“Shenjtëria qëndron dhe në një buzëqeshje ka thënë Nënë Tereza. Roland Trebicka ka dhuruar një jetë të tërë buzëqeshje për të gjithë. Kur ndërron jetë një aktor, nuk vdes vetëm ai si njeri duket sikur shuhen dhe personazhet e tij, por në fakt ndodh e kundërta”, shprehet Bumçi në mesazhin e tij.

“Pikërisht këto personazhe e sjellin midis nesh, e ringjallin me magjinë e artit. Këtë mund të themi përballë aktorit të përmasave të Roland Trebickës i cili u ka dhuruar hare dhe buzëqeshje të gjithë shqiptarëve, për më shumë se 40 vjet”, shton ministri Bumçi.
“Ndoshta hyrja e Trebickës në rrugën e artit ishte e rastësishme, kur ai ishte vetëm 14 vjeç, por nuk ishte e rastësishme lidhja e tij e përjetshme me skenën, ashtu siç nuk ishte e rastësishme që pas disa roleve të spikatur të planit dramatik, në teatër apo në filmin “Koncert në vitin 1936”, Roland Trebicka e gjeti veten si një aktor i shkëlqyer i komikes, në rolin e Jovan Bregut, tek komedia “Pallati 176”, rol që e bëri të famshëm”, vijon më tej Bumçi.

Ai thekson se “dashuria e Roland Trebickës me skenën ishte sa e ndërsjelltë, aq dhe e veçantë. Skena e donte fort Landin, me talentin e tij të dukshëm dhe vullnetin e paepur. Por edhe ai e donte atë me të gjithë fuqinë e shpirtit të tij, deri në vetëmohim”. “Nga sot e tutje, skenave së teatrit shqiptar do t’u mungojë sharmi i këtij gjeniu të humorit, do t’i mungojë familjes, gjithë të dashurve, spektatorit, por ai e la veten në artin kombëtar shqiptar të skenës. Që aty ai është futur në skenën e zemrës së të gjithëve”, përfundon Bumçi.
MARGARITA XHEPA: U HIDHËROVA KUR MËSOVA VDEKJEN E ROLANDIT NË NEWS24
Në një lidhje telefonike me studion e “News24”, aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa u shpreh e tronditur mbi vdekjen e Roland Trebickës.
“U hidhërova shumë kur dëgjova për vdekjen e tij në News24. Ishte babai i komedisë. Spikaste ndër aktorë. Ai kishte batuta dhe pa folur, sepse shikimi i tij ishte kaq domethënës, ishte kaq i vecantë, nuk fjalë të shpreh boshllëkun që krijohet me ndarjen nga jeta të Roland Trebickës”.

SUELA KONJARI: SKENA SHQIPTARE KA HUMBUR NJË KOLOS
Në një lidhje telefonike në “News24”, edhe aktorja Suela Konjari deklaroi se humbja e Roland Trebickës është një humbje për të gjithë. Përmes lotëve, zonja Konjari tha se “skena shqiptare ka humbur një kolos, ka humbur një aktor të mrekullueshëm. Janë humbje të thella që jam e sigurt që do të shënojnë tek të gjithë ne. Rolandi ishte i madh në jetë, i madh në skenë, i madh si mik, i madh si baba.”

ZAMIRA KITA: KORÇA ESHTE KRENUAR GJITHE JETEN ME ROLANDIN
Për aktoren Zamira Kita humbja e Roland Trebickës ishte e papritur dhe shumë e dhimbshme. Ajo deklaroi për “News24” se Korça është krenuar gjithë jetën dhe do të krenohet gjithnjë me aktorin korçar Roland Trebicka.

“Jam shumë keq në këtë moment, nuk gjej dot fjalët. Eshtë tejet e dhimbshme. Nuk e besoj dot që ai nuk do të jetë më. Ai më telefononte shpesh për vajzën time. Më pyeste si e ke vajzën. Nuk kishte ditë që të mos komunikonim bashkë, ishte një nga miqtë e mi më të mirë.”- deklaroi Kita.

EDI RAMA: KOMIK I PASHOQ, NJERI I MREKULLUESHËM
Kryetari i Partisë Socialiste ka ngushëlluar në rrjetin social Twitter dhe Facebook mbi vdekjen e aktorit të madh, Roland Trebicka.
“Cfarë lajmi i keq vdekja e Roland Trebickës! Komik i pashoq, njeri i mrekullueshëm, i lehtë dheu, ngushëllime familjes e miqve të të ndjerit”.

REGJIZORI ALFRED BUALOTI: NË SKENË DERI NË FUND, SËMUNDJA NUK E MPOSHTIRegjizori Alfred Bualoti ndau me mikrofnin e News24 momentet e punës që ka kaluar gjatë viteve me Roland Trebickën.

“Kujtimet janë të panumërta. Moment kaq tragjik dhe i parakohshëm për talentin dhe dëshirën e tij, sidomos për të luajtur në skenë. Ai dhe pse nuk e thoshte nga mënyra sesi vepronte donte që dhe frymën e fundit ta kishte në skenë. Dhe pse kishte sëmundje të rëndë, ai nuk reshti së krijuari për rolin tij, angazhimin tij. Për humorin e tij se ajo na ka mbetur në kujtesën tonë. Ai vetëm buzëqeshte, na bënte të qeshnim, të krijonte një atmosferë që zor se vijnë më për tërë jetën. Jam i bindur që të gjithë do mbajnë kujtime të mrekullueshme nga aktori Roland Trebicka”.

ANDON QESARI: PALLATI 176 NUK DO BËHEJ I FAMSHËM NËSE DO I MUNGONTE TREBICKA
“Nuk dua të qaj se kjo ishte dhe porosia e fundit e Trebickës. Por teatrit shqiptar i iku gjeniu i Komedisë dhe padyshim Teatrit i humbi një gjigand i kësaj gjinie. Shumë e vështirë të identifikohet një aktor me personazhin. Dhe Trebicka njihet si Jovan Bregu i ”˜Pallatit 176’. ”˜Pallati 176’ nuk do ishte ajo vepër që është nëse në të nuk do të ishte Roland Trebicka. Nuk ka ndodhur në histori që një vepër teatrore të shfaqet 154 her딝.

KICO LONDO: SOT PA TY NE JEMI MË TË VARFËR
Ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Kico Londo përcolli gjithashtu sot ngushëllimet mbi humbjen e e aktorit të madh të skenës së teatrit, Roland Trebicka.
“Nuk do ta harroj kurrë herën e fundit kur të pash! Miku im i shtrenjtë!Sot ti i kapërceve kufijtë e tokës për të prekur me siguri fytyrën e Zotit. Ti ishe me fat se njohe ne tokën që deshe suksesin e madh dhe me talentin tënd të pazakontë e ngrite shpirtin njerëzor në një vend më të lartë.
Sot pa ty ne jemi më të varfër. Unë ndihem me fat që të takova, të njoha dhe të duartrokita ty. Udhëtim të mbarë miku im!”

LUIZA XHUVANI: DO JETE PERJETE NE MENDIMET TONA
Aktorja Luiza Xhuvani shprehu dhimbje për humbjen e aktorit Roland Trebicka.
“E prisja ta shihja në rolin e “Doktor Shuster”, por sëmundja nuk e lejoi. E prisja ta shihja edhe në shumë projekte të tjera, sepse ai, artisti i mrekullueshëm i skenës shqiptare, Roland Trebicka, kishte të gjithë pjekurinë artistike për ti dhënë skenës role dhe karaktere. Tani takimet me ty do të jenë vetëm në kujtesë, në këtë memorie të shkëlqyer që na fale të gjithëve me rolet e tua. Aktor i shkëlqyer i teatrit, me një elegancë dhe sharm skenik, zë kumbues dhe i ngrohtë, pantomimë e jashtëzakonshme, ai jepte gjithçka për të arritur dhe për të shprehur saktë dhe qartë pasionet dhe ndjenjat e personazheve. Nuk kishte nevojën për t’i shkëputur personazhit “elementin narcist”. E adhuroja për këtë, heshtas e falenderoja që na e dhuronte ndjesinë e barazisë të gjithëve, larg aktorit të parë, gjatë orëve të shfaqjes. Trebicka nuk e synonte lojën aktoriale, por e harmonizonte me të gjithëaktorët, ai e fitonte duartrokitjen, pa e patur synim në vetvete. E kam parë disa herë të arrinte majën e ndjeshmërisë intelektuale dhe kompetencës estetike në skenë, mund të them se shpesh herë, me mendje e kam barazuar aktorin Trebicka me poetin. Kjo ishte forca e tij aktoriale. Ai nuk kishte kufizime. Kishte gjithçka që do të donte një artist, zërin, lëvizjen, prezencën. Sa shumë biseda, para dhe pas shfaqjes, sa diskutime, sa ide dhe dëshira për teatrin. Ai dinte të krijonte atmosferë, ai dinte të mësonte pa treguar aftësinë e më të mirit.
“Dua të largohem me dinjitet nga skena. E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë. Dhe është vërtetë e tillë, jo kushdo mund të ngjitet në të. Ndaj dhe unë doja të bëja një largim si duhet nga skena”-u shpreh ai në një nga mediat, ndoshta nga të fundit herë…..por askush nuk e mendonte largimin e tij të parakohshëm, këtë ikje pa kthim….Ti do të jesh përjetë në mendimet e mija dhe të gjithë njerëzve që adhuruan personazhet e tua, që jetuan dhe ëndërruan bashkë me ty…. Lamtumirë Mik, Artist, Njeri me zemër të madhe….të qoftë i lehtë dheu!”- deklaroi aktorja Luiza Xhuvani.

MIRUSH KABASHI: NJE HUMBJE E PAKRAHASUESHME
Për aktorin Mirush Kabashi humbja e Trebickës është një humbje e pakrahasueshme për artin shqiptar.
“Ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Ai mblodhi të gjitha forcat që t’i dhuronte spektatorit edhe një rol tjetër në atë dramë që i kushtohej një ngjarje të jashtëzakonshme siç është 100- vjetori i pavarësisë. Eshtë një dhimbje e madhe, ata janë brenda nesh dhe përbëjnë një dhimbje. Jam i trishtuar.” –deklaroi Kabashi.

KARRIERA E ROLAND TREBICKES
Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të “privilegjuar” në kohën e shërbimit ushtarak. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktorë të tjerë, të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit.

Ishtë mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazoi lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.
Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)… tek “Një burrë me trëndafil”.

Në vitin 2002, për rolin e rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nesti).

(burimi – BalkanWeb)

Jepni mendimin tuaj