Cyber-Policia e Shqipërisë përballë sfidave të reja

Kompjuteri dhe faqet e shumta të informimit dhe komunikimit elektronik kanë bërë që bota të duket një vend i vogël. Brenda pak sekondave një fotografi apo informatë mund të përhapet në të katër anët e botës.

Falë faqeve si Facebook, që është një rrjet social ku me miliona njerëz mund të komunikojnë mes vete nga njëra anë e botës në anën tjetër, lidhja e njerëzve anembanë botës është thjeshtësuar, por përveç aspekteve të saja pozitive, teknologjia sjellë edhe telashet e veta.

Përveç viruseve, teknologjia përballet edhe nga hakerat. Ata janë të aftë të kopjojnë dhe zbulojnë fjalëkalime të postës elektronike (e-mail) dhe adresave tjera dhe mund të manipulojnë me informacionin e të tjerëve, duke bërë kërcënime e shantazhe nga adresa të panjohura drejt adresave të panjohura.

E tëra kjo që u tha më lartë paraqet cyber-krimin, që është një lloj i krimit me një zhvillim mjaft të madh gjatë viteve të fundit dhe që ka shtyrë hapjen e një zyre të veçantë edhe në Shqipëri.

Hergis Jica është shef i seksionit kundër krimeve kompjuterike në policinë e Tiranës dhe ai është shprehur për Top Channel se para hakerave shqiptar janë pothuajse të pambrojtur. “Një fjalëkalim i sigurt duhet të përmbajë 12 karaktere dhe jo vetëm shkronja por edhe numra dhe shenja të pikësimit” shprehet ai. Sipas tij fjalëkalimi duhet ndërruar çdo ditë, por këtë e bëjnë shumë pak përdorues, dhe sipas tij si rrjedhojë e kësaj pasojnë denoncimet ndaj kërcënimeve dhe fyerjeve në internet, të cilat janë shtuar mjaft shumë gjatë kohëve të fundit.

“Çdo person mund të kryejë një vepër të caktuar në krimet kompjuterike. Ka raste të shpeshta që e-mail adresat të thyhen nga administratorët e rrjetit” thot Jica.

Në mesin e kallëzimeve penale të cilat i ka policia në Shqipëri ka edhe raste të përdorimit të identitetit të tjetërkujt në kuadër të rrjetit social Facebook. “Në Facebook ka pasur raste kur është përdorur identiteti i tyre në formën e talljes. Zakonisht kjo bëhet në rastet kur personat mund të kenë pasur konflikte të mëhershme mes vete” shpjegon Jica.

Zyra e krimeve kompjuterike në Shqipëri, ka kryer operacione të njohura për goditjen e grupeve kriminale, ku ishte rasti i arrestimit të 17 personave të përfshirë në më se 400 raste të vjedhjes së bankave përmes kartelave kreditore të kopjuara, dhe pastaj ishte edhe operacioni “Konkord” që shkatërroi një grup që bënin mashtrim kompjuterik dhe që kishin arritur të vidhnin mbi 100 mijë euro.

Jepni mendimin tuaj