Amerika Feston 237 vjet Pavarësi

Nga: AGIM NEZA

4 Korriku është datëlindja e Amerikës! 237 vjet pavarësi dhe Amerika mbetet gjithmonë e re në shpirtin e saj demokratik. Kjo datë nuk lindi një komb të ri, por lindi parime të reja dhe këto parime u përfshinë në Deklaratën e Pavarësisë. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 Korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë. Në këtë dokument deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre. Ata që u mblodhën për të shpallur pavarësinë e Amerikës nuk ishin emra të mëdhenj, por përfaqësonin idealin e madh të popullit të tyre.

Ajo që e bën të kujtohet çdo ditë këtë Deklaratë të Pavarësisë është fakti se aty thuhej se, të gjithë kanë lindur të barabartë, të gjithë janë pajisur me të drejtën e patjetërsueshme dhe fuqia e qeverisë buron nga pëlqimi i të qeverisurve. Asnjë progres dhe asnjë sukses nuk mund të arrihet as në ditët e sotme, nëse nuk mbështetet në parimet e lartpërmendura. Zbatimi i këtyre parimeve i ka bërë të suksesshme zhvillimin e institucioneve amerikane.
Më 4 Korrik populli amerikan feston 237-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Është dita kur amerikanët festojnë pavarësinë kudo që ata ndodhen. Të e gjithë festojnë këtë ditë për të kujtuar lirinë, për të mos harruar ata që dhanë jetën për lirinë e çdonjërit.
Kjo datë (4 Korriku) është e lidhur edhe me fatet e vendit tonë. Kjo datë është kushtrim shprese për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pikërisht më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson deklaronte: “Unë do të kem vetëm nji zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipëris딝. Ky mesazh i Presidentit Wilson krijoi shpresën tek shqiptarët se një aleat i madh si Amerika do të mbronte çështjen shqiptare. Ndërsa më 15 shkurt 1920, Presidenti Wilson deklaroi se “Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëmtim në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavis딝. Ai shkoi edhe më larg duke kërcënuar bashkëpunimin me europianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm një ditë më vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit amerikan. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Në vitet në vazhdim, në rrugëtimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të veçantë për vendin tonë në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj.
Kësisoj, kjo festë është në memorien e shqiptarëve edhe për faktin se marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë janë të shkëlqyera, niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë që përjeton populli shqiptar për Amerikën dhe popullin amerikan vështirë se haset diku tjetër. Gjatë këtyre viteve të demokracisë, të gjitha qeveritë shqiptare kanë pasur dhe kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara, duke u angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Gjatë këtyre viteve, SHBA ka qenë aleati ynë strategjik. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën politike, ekonomike, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe luftës kundër terrorizmit. Ky bashkëpunim ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin e vendit tonë.
Në këtë kuadër festa e Amerikës është festë edhe për shqiptarët. Amerika nuk e feston këtë festë me parade tankesh, avionësh luftarakë apo me hapin rreshtor të ushtarakëve… Amerikanët dhe shqiptaro-amerikanët në SHBA festojnë çdo 4 Korrik triumfin e pavarësisë, triumfin e demokracisë, historinë, qeverisjen, traditat e SHBA, me fjalime politike, parada, fishekzjarrë, karnavale, koncerte, piknikë, lojëra bejsbolli, pritje në ambasada, etj.
Në thelb çdo përvjetor ka skicimin e së ardhmes për një jetë më të mirë për çdo amerikan. Forca e vërtetë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk vjen as nga shkalla e pasurisë dhe as nga forca e armëve, por nga fuqia e idealeve të amerikanëve, që nënkuptojnë demokracinë, lirinë dhe shpresën për ta pasur Amerikën gjithmonë të papërkulur dhe të suksesshme.
Askush më shumë se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kontribuuar për të ndihmuar demokracinë të triumfojë si sistem universal. SHBA kanë qenë dhe mbeten mbështetëse për të triumfuar ndaj përvojave të hidhura të të gjitha atyre vendeve që përjetuan fashizmin, nazizmin, diktaturën komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë diktatoriale. Mbështetja e SHBA ndikoi që dëshira e zjarrtë e popujve për liri të rritej dhe në sajë të kësaj mbështetjeje popujt vazhduan të marshonin të sigurt drejt fitores së demokracisë. Dy parime themelore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë e mbeten aktuale; mbështetja në drejtësi dhe vetëvendosja për të gjitha kombet, të mëdha e të vogla.

Artikulli i plote

Jepni mendimin tuaj