Aksidenti ne Himare – Shkaqet ngelen akoma te pa njohura

Ka shkuar në 13 numri i viktimave të aksidentit të rëndë, që ndodhi dje pasdite në Shqipëri, në zonën e Himarës në jug të vendit, kur një autobus me studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan ka rënë në një greminë nga një lartësi prej disa dhjetra metra. Prej tyre, 3 humbën jetën në spitalin e Tiranës.
14 studente të tjera ndodhen po në spitalin ushtarak në Tiranë, ndërsa 10 u mbajtën në spitalin e Vlorës dhe gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar. Qeveria vendosi të shpallë zi kombëtare ditën e nesërme.

Kanë vazhduar të jenë orë ankthi ato të mbrëmjes së djeshme deri vonë dhe pas mesnate, për shkak të njoftimeve që e rëndonin edhe më shumë peshën e ngjarjes tragjike të ndodhur dje pasdite pranë Himarës. Bilancit të parë me 11 viktima që humbën jetën menjëherë pasi autobusi përfundoi disa dhjetra metra poshte rrugës në greminë, në mbrëmje ju shtuan edhe dy vajza të tjera. Njëra prej tyre vdiq që gjatë rrugës me helikopter për në spitalin e Tiranës, ndërsa tjetra më vonë nuk mundi t’i rezistojë plagëve të rënda. Dy të tjera, sipas autoriteteve të Shëndetësisë janë po ashtu në gjendje kritike në spitalin Ushtarak të kryeqytetit.

Kanë mbetur ende të paqarta motivet e aksidentit. Verifikimet e para kanë treguar se drejtuesi i mjetit ka qenë shofer me eksperiencë dhe se kishte vite që shërbente me autobus. Po ashtu mjeti kishte kryer të gjitha kontrollet periodike teknike. Ajo që shton edhe më shumë paqartësitë është se autobusi është përplasur dy herë me shkëmbin në krahun e korsisë ku po ecte dhe më pas ka kalur ne korsinë tjetër për të rënë në greminë. Dyshimet e para janë për një gabim njerëzor, një humbje të kotrollit të mjetit, ndërsa sipas dëshimeve të transmetuara nga disa media referuar studentëve të mbijetuar, mjeti mendohet se mund të ketë qenë me shpejtësi më të lartë sec duhet në atë pjesë të rrugës.

Deri vonë paqartësi ka patur edhe për numrin e pasagjerëve që kanë qenë në autobus. Policia fillimisht dha një shifër prej 33 personash. Më pas autoritetet e Shëndetësisë dhanë shifra të tjera. Informacionet e fundit nga policia flasin për 39 persona përfshirë këtu edhe shoferin i cili humbi jetën e po ashtu edhe një i ri tjetër që ndodhej në autobus. 10 studente, gjendja e të cilave ishte stabilizuar, janë mbajtur në spitalin e Vlorës, pjesa tjetër është sjellë në Tiranë.

Ngjarja e rëndë angazhoi të gjitha strukturat e shtetit dhe autoritetet më të lartë të vendit. Disa ministra si dhe kryetarja e parlamentit u nisën menjëherë në Himarë. Në spitalin Ushtarak për të parë gjendjen e studentëve të plagosura shkoi presidenti Bamir Topi si dhe përfaqësues të tjerë shtetëror e politik. Kryetari i opozitës dhe deputët socialitë dhuruan gjak, e po ashtu dhe zonja Topi, efektivë të policisë dhe ushtrisë. NJë solidaritet i madh njerëzor u shfaq edhe nga qytetarë të shumtë që vullnetarisht u paraqitën për të dhuruar gjak.

Nga shtetet e Bashkuara ku ndodhej për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Natos në Cikago, kryeministri Sali Berisha mbajti lidhje të vazhdueshme me anëtarët e kabinetit të tij duke urdhëruar që sot të shpallej ditë zie. Më pas në një deklarim për televizionin ABC news të Tiranës, kryeministri njoftoi se kishte ndërprerë ndjekjen e punimeve për të marrë rrugën e kthimit sa më të shpejtë drejt Shqipërisë.
burimi-voa-news

Jepni mendimin tuaj