Rriten tarifat e telefonisë fikse në Shqipëri

Tarifat e telefonisë fikse pritet të rriten përsëri. Sipas vendimit më të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, që nga data 1 shtator tarifa e pajtimit mujor do të arrijë në 530 lekë, nga 430 lekë që është aktualisht.

Tarifat e thirrjeve lokale brenda rrjetit Albtelecom, në orar të zakonshëm, do të rriten në 3.6 lekë, nga 3 lekë që janë aktualisht. Ulje do të pësojnë tarifat e thirrjeve kombëtare brenda rrjetit Albtelecom, që do të bien në 7.7 lekë, nga afro 9 lekë që kushtojnë aktualisht.

Ulje të lehtë do të pësojnë edhe tarifat e thirrjeve drejt rrjeteve celulare, që në brezin orar të zakonshëm do të kushtojnë 31.3 lekë, nga 32.7 lekë që kushtojnë sot.

Tarifat e reja u vendosën në kuadër të shpalljes përsëri të Albtelecom si operator me fuqi të ndjeshme në treg, çka e bën shoqërinë më të madhe të telefonisë fikse subjekt të rregullimit të tarifave me shumicë dhe me pakicë. Sipas ekspertëve të AKEP, këto ndryshime janë në kuadrin e ribalancimit të tarifave, në përputhje me kostot.

Veçanërisht në rastin e Albtelecom tarifat kanë qënë mjaft problematike, sepse për vite të tëra tarifat kanë qënë nën kosto, madje ka munguar edhe një informacion i mirëfilltë në lidhje me kostot e operatorit kombëtar të teleonisë fikse

Së fundmi, AKEP ka marrë rezultatet paraprake të metodologjisë së re të matjes së kostove për Albtelecom, e përgatitur kjo nga një shoqëri e specializuar e kontraktuar nga AKEP.
Nga raporti paraprak rezulton se kosto e tarifës së pajtimit mujor të Albtelecom është rreth një mijë lekë në muaj, tarifë që pritet t’i vendoset konsumatorit vitin e ardhshëm.

AKEP vlerëson se ribalancimi i tarifave është i domosdoshëm për t’i dhënë stiumujt e duhur Albtelecom për të investuar në zgjerimin e rrjetit. Shqipëria është vendi me penetrimin më të ulët të telefonisë fikse në Europë me më pak se 12%.

Shtimi i investimeve për zgjerimin e rrjetit do t’i jepte mundësinë një numri më të madh familjesh shqiptare të kishin akses në telefoninë fikse. Një problem tjetër, sipas ekspertëve, është se tarifat nën kosto të Albtelecom shtermbërojnë konkurrencën në dëm të operatorëve të tjerë më të vegjël të telefonisë fikse.

Jepni mendimin tuaj