Shqiptarët festojnë 28 Nëntorin

Sot mbushen plot 98 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, delegatë të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në qytetin e Vlorës për të ngritur flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore në mes.

Patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut, më në krye Ismail Qemalin, në vjeshtën e viti 1912 vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik për të thirrur një kuvend kombëtar, i cili do të merrte masat për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi.

Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej “një komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë e vendit; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha “të drejtat kombëtare e lokale të popullit shqiptar”, dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë.

Mbledhja e Bukureshtit në vendimin e saj nuk përcaktoi qartë nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi. Kjo do të përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi që do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha.

Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për t’u shprehur kërkesat e popullit shqiptar. Ndërkohë, në Shqipëri kishte filluar lëvizja për mbledhjen e një kuvendi kombëtar.

Në kushtet kur Perandoria Otomane dhe shtetet ballkanike kishin hyrë thellë në tokat shqiptare, e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “… menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”.

Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet osmane, të ndihmuara nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin këtë veprim.

Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë.

Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më 26 nëntor ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të fshatrave një letër, me anën e së cilës porositeshin të mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin ata në gatishmëri.

Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer.

Më 25 nëntor, Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana, dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja. Për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.

Më 28 Nëntor 1912, në orën 14:00, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.

Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.

Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “… Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.

Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri. Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.

Jepni mendimin tuaj