VW BlueSport merr dritën e gjelbër

Nëse mund t’u besohet burimeve britanike, koncepti roadster i Volkswagen ka marr dritën e gjelbër për prodhim. Automjeti i hapur me dy ulëse me motor të vendosur në mes dhe tërheqje në boshtin e pasmë është paralajmëruar me konceptin e shfaqur në panairin e automjeteve në Detroit gjatë vitit të kaluar.

Të mirinformuarit pohojnë se dizajni i versionit prodhues tanimë është përfunduar dhe se brenda një kohe të afërme mund të priten testimet e para të prototipit, që do të duhej të na sillnin edhe fotografitë e para spiune dhe konfirmimet për këto pohime. Sa i përket dizajnit, i njëjti do të bazohet në paralajmërimit konceptual dhe modelet ekzistuese nga familjet Golf e Scirocco të VW-së.

Dimensionet e versionit prodhues nuk dihen, mirëpo ajo që dihet është se do të jetë më i shkurtër sesa Golfi, mirëpo po aq i gjerë, që këtij automjeti të vogël do t’i ofrojë një dozë fuqie në pamje. Enterieri do të ofrojë hapësirë të mjaftueshme vetëm për vozitësin dhe bashkë-vozitësin, derisa forma e tij do të merret nga Scirocco i sipërpërmendur. Pasi që do të bëhet fjalë për një konstruksion me motor të vendosur në mes, në praktikë kjo do të ndihmojë që hapësira e bagazhit si para edhe prapa të jetë e madhe, mirëpo gjithsesi nuk mund të priten mrekulli në asnjërën prej këtyre dy hapësirave.

Me qëllim që pesha e automjetit të mbahet sa më e vogël që është e mundur, BlueSport do të bazohet në shasi të lehtë alumini. Duke llogaritur edhe kulmin e tij tekstili i cili hapet e mbyllet në mënyrë mekanike, mund të pritet që pesha e tij të sillet rreth 1.200 kilogramë.

Motorizimin e modelit prodhues të BlueSport do ta përbëjnë 2.0-litërshi TDI me 180 kuaj fuqi si dhe 1.4-litërshi TSI e 2.0-litërshi turbo i huazuar nga Golf GTI. Motorët në mënyrë standarde do të çiftëzohen me marshin mekanik prej gjashtë shpejtësish, derisa marshi DSG prej shtatë shpejtësish do të ofrohet si pjesë e pajisjeve. Veç peshës së vogël për kursim do të përkujdeset edhe sistemi regjenerativ i frenimit – stop-start.

Për aq sa dihet tani për tani, ky automjet do të duhej të paraqitej në treg gjatë vitit 2013.

Jepni mendimin tuaj