Helena Paparizu: E kam provuar racizmin grek

Takimi me Helena Paparizon, këngëtaren e njohur e të talentuar greke ishte i ngrohtë dhe miqësor.

Të diskutosh me këtë vajzë është një kënaqesi, sepse ndihesh mirë nga aftësia e saj për të krijuar afrimitet në bisedë. Premtimin për këtë takim e kisha marrë prej saj përpara disa kohësh, por për arsye të angazhimeve profesionale, nuk ishte bërë e mundur një gjë e tillë.

Pasioni i Helenës për muzikën do të rritej e zhvillohej dita-ditës në Suedi. Sukseset e para të saj do të binin në sy të shumë muzikantëve dhe producentëve atje. Kulmin në këtë prag-karrierë që do të vinte më pas, ajo do ta kishte në përfaqësimin e Greqisë në “Eurovizion 2001”, me grupin “Antik” (Antique).

Për çudi të shumë njerëzve në Greqi, Helena do të bëhej epiqendra e diskutimeve në kanalet greke, në lidhje me këtë përfaqësim. Shumë ”pseudoproducentë” apo analistë muzike do të bënin një fushatë anti-Helena, duke pasur si moto-pretekst qe ajo ishte një jogreke e lindur në Suedi, nga prindër emigrantë, që nuk kishte lidhje me Greqinë, gjuhën, kulturën etj.

Por për fat të saj kënga u pranua, u këndua me sukses dhe zuri dhe vendin e tretë në Eurovizion 2001, me këngën “Die for you”. Dhe pas suksesit erdhën edhe propozimet nga shtëpitë diskografike dhe producentë muzike për bashkëpunim.

Dita-ditës suksesi dhe fama e saj rritej e njihej jo vetëm në Greqi, por edhe në botë. E megjithatë kohën në të cilën vetë bashkëkombasit e saj e përbuznin, Helena, sot 28-vjeçare, ende nuk e ka harruar.

– Helena, si ndiheshe kur shikoje në televizione diskutimet nëse ti duhet të merrje pjesë apo jo në Eurovizion?

– Nuk ndihesha mirë, të them të drejtën. Sepse nuk mund të më gjykonin keq thjesht për faktin që nuk më njihnin apo për faktin që kisha lindur në Suedi. Prindërit e mi më kishin edukuar dhe futur në gjak dashurinë për Greqinë, më kishin mësuar ta flisja dhe ta shkruaja gjuhën greke dhe më sillnin me pushime këtu. Ishin kujdesur për mua.

– Cili ishte reagimi i prindërve të tu gjatë kohës që sulmoheshe nga njerëz të ndryshëm?

– Prindërit e mi nuk më shkurajonin, përkundrazi. Më flisnin që të mos mërzitesha, si dhe të kuptoja mentalitetin në Greqi.

– Helena, kalojmë në një tjetër diskutim. Ju njihni dhe keni shoqëri e bashkëpunim edhe me muzikantë apo këngëtarë e emigrantë shqiptarë në Greqi.

Cili është opinioni juaj për ta e për shqiptarët në përgjithësi?

– Unë e kam përjetuar vetë të qenit apo të quajturin emigrant, të ndihesh i huaj në një vend tjetër. Rëndësi ka që të jesh i ndershëm, të punosh e të ndërtosh jetën aty ku dëshiron e të duash vendin tënd të origjinës, të mbash lidhjen me njerëzit e tu dhe t’i duash ata. Shqiptarët janë punëtorë, të ndershëm, familjarë. Ka dhe mjaft talente që mund të bëjnë karrierë në Greqi apo diku tjetër. Unë kam shumë kërkesa për bashkëpunim në të ardhmen.

– Cili do të ishte mesazhi apo urimi juaj për emigrantët shqiptarë në Greqi?

– Uroj që të gjithë emigrantët një ditë të ktheheshin në vendin e tyre apo të bëheshin të vlefshëm aty ku ata jetojnë e punojnë me familjet e tyre.
Anulimi i koncertit në Shqipëri nuk mund të ishte një pikë që të mos përmendej me Helenën.

– Kur do të jetë koncerti juaj i ardhshëm në Shqipëri?

– Sapo të bëhet e mundur nga organizatorët dhe të krijohet mundësia tjetër, dhe në një ditë me diell (qesh). Do të më pëlqente edhe mua të kisha fansat e mi në Shqipëri, sikurse kanë edhe këngëtarët e tjerë grekë, – shprehet ajo teksa vijon të thotë fjalët më të mira jo vetëm për përshtypjet e saj për Shqipërinë e për Tiranën, por edhe për zhvillimin, gjallërinë, mikpritjen tonë.

– Helena, të falënderoj për bisedën dhe dua të më premtosh që herës tjetër kur të japësh koncertin, do të mund të marr edhe përshtypjet e tua.
– Edhe unë të falënderoj që më dhe rastin të bashkëbisedojm e të premtoj se do flasim përsëri.

Helena Paparizo është lindur në qytetin Boras – Vastergotland të Suedisë, më 31 janar 1982 nga prindër grekë. Babai Georgios, nga Volosi, dhe nëna, Efrosini, nga Kardhica. Ajo ka një motër, Ritën, dhe një vëlla, Dinosin./shekulli.com.al

Jepni mendimin tuaj