Soni Malaj dhe Flori Mumajesi perseri bashke me nje kenge dashurie

Soni Malaj dhe Flori

Në Festivalin e RTSH-së konkurojnë me këngën më të bukur të lidhjes së tyre të dashurisë

“Fluturimi 3470” ishte kënga, që i bëri të shfaqeshin si dueti më romantik i nëntorit të kaluar në “Kënga Magjike”. Ishte koha kur çifti më i përfolur i vitit, Soni Malaj dhe Flori Mumajesi ndiheshin në kulmin e dashurisë për njëri-tjetrit. Tani që janë ndarë mbase u duhet të bëjnë bujë, dhe të godasin me kujtimet dhe nostalgjinë e asaj lidhjeje, që nuk zgjati pak. Vetë Soni Malaj “ka pohuar se ata do të konkurojnë së bashku me këtë këngë në Festivalin e RTSH-së. Sipas Sonit, “kënga është një dëshmi e lidhjes së tyre në momentet më të mira, është shumë e ndier dhe që e kishin ruajtur për një moment tjetër. Dhe ja momenti erdhi! Kjo këngë ritmike, dhe e realizuar nga Flori në kulmin e lidhje së tyre, do t’i bashkojë sërish ata të dy, kësaj here për konkurim, në dhjetor në festivalin që e çon fituesin në Eurovizion.

Kjo tregon se miqësia dhe bashkëpunimi mes tyre vazhdon ende. “Ishte aq e bukur si këngë sa mendonim ta përfshinim në albumin e ri, por pastaj vendosëm të konkurojmë në festival me shpresën se mund të pëlqehet dhe të vlerësohet”, tha Soni. CD-ja me këngën me tekst të Olti Currit dhe orkestrim të Ernis Preshevës, tashmë është dorëzuar në zyrën e drejtorit Artistik të Festivalit, Pirri Çakos, i cili ka premtuar se këtë vit festivali do të jetë krejt ndryshe, dhe sipas shijes së tij. Por natyrisht, që Flori dhe Soni presin një çmim të përbashkët, edhe pse janë ndarë. Ata në fillimet e lidhjes tyre, ishin shprehur se nuk kishin dëshirë të ngatërronin muzikën me dashurinë, por ja që bashkëpunimet kaluan në plan të parë. Lidhja e tyre nisi para gati dy vitesh, dhe ata së paku prezantoheshin si çifti ideal, që shfaqeshin kudo bashkë dhe madje putheshin në skenë. Prezantimi i klipit “Me faj, pa faj” këtë verë kompozuar po nga Flori, u organizua pa praninë e tij, edhe pse Soni pohoi atëherë se ishin shokë dhe bashkëpunimet e tyre në muzikë do të vazhdonin ende. Kjo ishte e para shfaqje publike si të ndarë, ndërkohë që kishin prezantuar të dy klipin “Zigzag”, ku Flori shfaqej dhe vetë në klip.

PanoramaPlus

Jepni mendimin tuaj