Guidë në blerje: Bëni filma me një kamera dixhitale

Kamerat dixhitale e bëjnë filmimin dhe përpunimin e videove një lojë fëmijësh. Mund t’i eksportoni filmat tuaj në një kasetë apo në DVD ose t’i ngarkoni online. Modelet me kasetë Mini DV janë gjithnjë e më të rrallë, por (për momentin) kanë cilësinë më të mirë video, lejojnë përpunim më të thjeshtë dhe zakonisht kushtojnë më pak se tipat e tjerë. Modelet me DVD dhe hard disk janë më të zakonshme.
Mund të vendosni një disk mini-DVD në një luajtës DVD; por nëse laptopi juaj ka një drive DVD me rrëshqitje, këto disqe më të vegjël mund të mos punojnë. Me një model me hard disk apo me flash, ju duhet shumë hapësirë e lirë në PC për të hedhur videot. Shqyrtoni një kamera që pranon karta SD apo SDHC; mund të shikoni videot tuaja me lehtësi në HDTV, korniza fotografike dixhitale dhe pajisje të tjera multimediale me slote SD/SDHC.

High definition apo standarde?
Megjithëse videot high definition janë të lakmueshme, kamerat HD janë të shtrenjta dhe jo çdo program përpunimi pranon xhirime HD. Kodekët janë një tjetër problem: modelet HD të bazuara në hard disqe shpesh përdorin AVCHD (Advanced Video Codec High Definition), i cili nuk punon me të gjitha këto programe përpunuese. Të dyja formatet kërkojnë një PC të fuqishëm për të dekoduar skedarët dhe procesi kërkon orë të tëra për t’u përfunduar. Gjithashtu, edhe nëse programi juaj përpunues e pranon HD-në, ka mundësi që si përfundim të djegë vetëm një disk me definicion standard.

Tiparet kryesore.
Ekrani: Një LCD ju lejon të shihni paraprakisht filmimin tuaj më me lehtësi. Sidoqoftë, disa LCD nuk punojmë mirë nën dritën e diellit dhe një ekran më i madh do të ketë koston e tij në konsumin e baterisë, prandaj shumica e kamerave pajisen edhe me një dritare optike, duke ju dhënë një opsion.

Filmim me ekran të gjerë: Disa modele mund të filmojnë në raport 16:9 (i cili përdoret nga HDTV-të), edhe për videot me definicion standard. Në aparate të tilla, CCD-ja mund të ketë një orientim vetjak prej 16:9 apo një orientim tradicional 4:3; në rastin e dytë kamera përdor vetëm një fragment të CCD-së për videon me ekran të gjerë.

Lentja: Të gjitha kamerat kanë një lente zoom-i, por shitësit shpesh nuk bëjnë dallime mes zoom-it optik dhe atij dixhital. Zoom-i optik maksimal është zoom-i më i madh që kamera mund të arrijë duke lëvizur elementet e lentes së saj. Zakonisht, një zoom optik prej 10X është më se i mjaftueshëm. Një zoom dixhital zmadhon pasi është arritur zoom-i optik maksimal; kamera zmadhon një pjesë të imazhit dhe mbush ekranin me të. Kjo metodë sjell filmime të kokrrizuara dhe të paqarta.

Stabilizimi i imazheve: Shqetësoheni nga videot e hijezuara të shkaktuara nga duar që dridhen? Me anë të stabilizimit optik, mekanizmi i lentes lëviz në mënyrë që të kompensojë lëvizjen e jashtme. Me stabilizimin elektronik, imazhi i filmuar “lundron në CCD” dhe qarqet e brendshme interpretojnë videon. Zakonisht, stabilizimi optik jep rezultate më të mira.

Bateritë: Pjesa më e madhe e kamerave duhet të jenë të afta të regjistrojnë për të paktën një orë me baterinë e përfshirë. Bateritë me kapacitet më të lartë zakonisht do t’ju kushtojnë $50-$100.
Mikrofoni: Mikrofonat e vendosur në ballin e pajisjes shpesh japin rezultate më të mira se ato që ndodhen në pjesën e sipërme. Disa kamera kanë mikrofona me zoom për të theksuar zërin e subjektit kur përdoret zoom-i i lentes dhe disa modele ju lejojnë të lidhni edhe një mikrofon të jashtëm.
Fotografi: Shumë kamera mund të ruajnë foto në kartën e memories apo në kasetë me të njëjtin rezolucion si një kamera 5 megapikselë. Por asnjë kamera që kemi testuar nuk ka mundësuar të njëjtin kontroll apo të njëjtën cilësi si një aparat fotografik.

Ndriçimi i ulët: Shumë kamera mund të filmojnë në kushte jo të mira ndriçimi, qoftë me ndihmën e një drite infra të kuqe, një opsioni më të ngadaltë shkrepjeje, i cili shfrytëzon në maksimum dritën e mjedisit, apo ndriçimit të një apo më shumë dritave me LED. Disa modele i ofrojnë të tria. Këto mund të jenë të dobishme, por videot mund të jenë aq të mira sa filmimi në kushte optimal drite.
Pjesët: Shumë kamera MiniDV kanë FireWire për dërgimin e videove drejt një PC-je. Disa modele transferojnë videot me USB 2.0 gjithashtu. Pothuajse të gjitha modelet kanë S-Video-out dhe/ose composite-out për të parë filmimet në TV; por disa kanë dhe porte S-Video-in dhe composite-in për t’ju lejuar të regjistroni nga burime të tjera si kamerat e vjetra analoge.
Një vërejtje për peshën
Ndërkohë që një ekran i madh LCD dhe një tufë me opsione shtesë justifikojnë një çmim më të lartë, lehtësia e përdorimit dhe dimensionet në total janë gjithashtu kritike.
Pesha mund të jetë një shqetësim i mjaftueshëm për të justifikuar kompromise. Pesha e kamerës ndikon në kohën për të cilën mund ta mbani e të filmoni pa ndërprerje. Por pesha gjithashtu ndikon dhe në çmim: modelet e vogla (të paktën ato për konsumatorë) shpesh kushtojnë më shumë. Dhe shpesh një kamera më e vogël ka një lente më pak cilësore, më pak opsione dhe kontrolle të vështira në përdorim.

Jepni mendimin tuaj